Home arrow Emigrantet arrow Amerike arrow Dasma Shkodrane ne SHBA-ne e larget...kliko ketu
Dasma Shkodrane ne SHBA-ne e larget...kliko ketu

DASMË SHKODRANE NË MINETONKA… Image


Shefqet MEKO
-Dr. Maltin Repishti martohet me zonjushën nga Miçigani, Loreta Misliu, e para krushqi shqiptaro-amerikane midis Detroitit dhe Mineapolisit-



Gusht 2007. I nxehti i korrikut sikur është fashitur dhe ditët përcillen nga një puhizë e lehtë. Në Mineapolis është freskët. Troket koha e dasmave. 4-5 muaj më parë Maltin Repishti do të njoftonte shokët dhe miqtë e vet: “Rezervoni datën 12 Gusht. Është dasma ime…Ftesa vjen më pas”. Kjo dasmë nuk do të kishte vëmendjen e autorit, nëse ajo do të ishte thjesht një ceremoni dhe pritje formale. Kjo dasmë ishte shumë më tepër se dasmë, shumë më tepër se një gëzim familjar, shumë më tepër se një moment që ndryshon një jetë. Kjo ishte dasmë që shpalosi jo vetëm botën e madhe shkodrane, por ishte një një moment kulmor në jetën e djalit të vetëm Maltin Repishti. Është kjo dasmë që themelon një familje moderrne mes dy të rinjve me rrënjë në Shqipëri, por me një evolucion bashkëkohor modern: Zonjusha Misliu sapo ka mbaruar kolegjin, ndërsa Maltin Repishti është një doktor në profesion që u shërben përdite qindra pacientëve amerikanë. Ai shënon të parin djalë nga Shqipëria që të punojë si mjek prestigjioz në shtetin e Minesotës. Çdo shqiptar është krenar për të, ndërsa vetë Maltini mbetet një modest i përhershëm. Ndërkohë, komuniteti shqiptaro-amerikan në Minesota dëshmon një ringritje të vlerave në shoqërinë e hapur amerikane. Edhe ne shqiptarët dimë t’i ofrojmë kontribute dhe cilësi këtij kontinenti të njeriut dhe ëndrrave… Image

Mysafirët erdhën prej gjithandej: nga Kanadaja, Nju-Jorku, Çikago, Detroid, Kënektikat, pa llogaritur këtu gjeografinë e miqve dhe kolegëve të Dr. Repishtit. Ndërsa mblidhemi tek shtëpia e bollshme e Maltinit, njihemi me njëri tjetrin, takojmë miqtë e shtrëngojmë duart me njerëz të mirë. Zonja Lejla Repishti, ose siç e njeh gjithë Shkodra, nëna Lali, mamaja e Maltinit, duket se shfaqet në çdo cep të shtëpisë. E qeshur dhe me një soditje shkodrane, na përshëndet ngrohtësisht. “Ky gaz qoftë i përhershëm nënë” urojmë nënë Lalin, dhe ajo përcjell një Imagebuzëqeshje që zotëron kudo. Dr. Skot është koleg dhe mik shtëpie . Ai bashkë me të shoqen janë të parët që janë midis dasmorëve shqiptaro-amerikanë. Ndërkohë një djalë të bie në sy dhe të duket sikur është vëllai i dhëndërrit. Është një trup mesatar dhe njeri i qeshur që e quajnë Petrit Ndrio. “Mua më gjeni në Çikago…Nëse keni nevojë, ja kartvizita ime…” Dr. Ndrio është nga Lushnja, thotë se i dedikon shumë Maltinit që e takoi pas vitesh të mundimshme, në perëndim të Amerikës… Daja Selamiu ka ardhur prej ditësh nga Kanadaja me gjithë familjen, për të martuar nipin, ndërsa Vokona, motra e Maltinit me një vështrim që ndrit në gjithë fytyrën e saj, pret buzagas miqtë dhe shokët e vëllait të vetëm që martohet sot në mes të Amerikës.
“Erdhëm nga larg për t’i thënë mirsjevjen në “shoqërinë e të martuarve” shokut tonë të fëmijërisë” –thonë gati me një gojë Dritan Hoxha që ka fluturuar nga Kanadaja dhe Gilman Muçaj biznesmen në Kënektikat.Image Djemtë e Shkodrës duan të bëjnë humorin e vet, ndërsa Maltini përpiqet të jetë midis të gjithëve. Ai paska kaq shokë dhe miq cilësorë, që e bëjnë më kuptimplote dasmën që nuk është thjesht dasmë, por edhe një kuvend burrash të hareshëm. “Bota qënka e vogël, ja mblidhemi këtu në Mineapolis kaq shumë shqiptarë”-u them djemve moshatarë nga Shkodra. “Çfarë po thu hej burrë. Bota është e vogël për njerëz të mëdhenj si Maltini e shokët e tij. Për të vegjëlit ose të veckëlit vocërrakë, nuk ka botë fare, ose është shumë, shumë e madhe”- thotë me humor shkodran Gilman Muçaj, njeriu i biznesit privat në Amerikë, shoku i fëmijërisë së dhëndërit. “Vetëm një njeri si Maltini të bën të marrësh një rrugë kaq të largët, ndërhyn në bisedë Sokol Kongoli, një tjetër shok i Maltinit ,që ka ardhur bashkë me gruan nga Nju-Jorku.-Ky është mik që meriton çdo sakrificë…”. Sokol Kongoli, që është martuar me një vajzë nga Ulqini dhe kanë dy djem, është një tjetër shembull i potencialit intelektual shqiptar në shoqërinë e hapur amerikane. Ai managxhon një biznesi në shërbimet gjuhësorë duke ndihmuar që Amerika të vijojë komunikimin me të gjitha rracat, kombet dhe kulturat që ka në gjirin e vet. “Përkthejmë dhe shërbejmë në çdo gjuhë, jo vetëm në shqip”-thotë Sokoli duke qeshur. Të gjithë ne nën çatinë e Maltin Repishtit, që nuk pikon kurrë…Dëgjon shqip dhe anglisht, shkodrançe dhe korçarçe, dëgjon të zgjohen miqësi të vjetra, dëgjon të njihen të panjohurit duke pyetur për të njohurit…Kështu, pa ndonjë protokoll zyrtar, por thjesht për të gëzuar këtë moment, bashkohemi të gjithë në një anije luksoze që na shëtit gjithë mbrëmjen e të shtunës nëpër liqenin e Minetokës.Kënga shqiptare, por edhe muzika moderrne, bëjnë që anija të dridhet mes valëve dhe valleve tona. “Ke bërë mirë, i them Maltinit, vetëm nëpër dallgë mund të zbuten vallet dhe thirrjet e gëzuara shqiptare”. Ai që ende vijon dhe koordinon dasmën përmes celularit thotë: “Miqtë duhen nderuar dhe respektuar…Ky udhëtim në liqen është kryesisht për mysafirët shqiptarë , nesër do të jetë për të gjithë…”. Krushqia është përzjerë.Të gjithë sikur jemi të dehur nga gëzimi i dasmës që fillon nëpër valët e këtij liqeni që nuk e di pse me kujton liqenin e Shkodrës ku nuk vozitëm kurrë në anije si kjo. Atë liqen që i jep bukuri Shkodrës, por edhe e përmbyt shpesh pa mëshirë. Kujtoj atë liqen ku njerëzit i janë gëzuar Shirokës, por edhe janë mbytur duke kërkuar “botën e lirë”…Atë liqen të ndarë në mes që mbetet në soditjen konstante të Kalasë së Rozafës. Ndëra sjell në mendje liqenet tona, te ajo tokë ku u lindëm dhe fëmijëruam, dhimbshëm vërej që Shqipëria çdo liqen apo det e ka të ndarë më dysh me fqinjët. Dysh mes fqinjëve të egërr e përherë të pabesë. Kështu është çdo liqen në Ballkanin e trazuar. Liqeni i Pogradecit (Ohrit) është i ndarë në mes, Liqeni i Prespës i ndarë në mes, Adriatiku i ndarë në mes, deti Jon po ashtu….Çdo gjë e ndarë, çdo gjë me kufij… Por në këtë anije martese duket se nuk ka kufij, ka vetëm hapësirë, një hapësirë të lirë ku është edhe shkodrani edhe korçari, edhe pogradecari edhe tiranasi, edhe elbansalliu dhe lushnjari,… çdo gjë e mirë shqiptare vozit në anijen e çiftit të ri Lori e Maltin: çifit i mrekullueshëm që dinë të bashkojnë madhërishëm të mirën e gëzimin njerëzor… Image

4-5 orë aheng dhe këngë rreth një liqeni ky jetojnë pasanikë dhe multimilionerë të Minesotës. Vjen dikush aq larg dhe thotë: unë do të bëj një dasmë, sikurse edhe juve zotërinj. Madje më të mirë, më me nerv dhe ndjenjë … Unë vij nga Shkodra. Më thonë Maltin Repishti…! Ky djalë kurrë nuk mendoi sikurse autori shkruan. Ky djalë është spontan dhe krejt i këndshëm në çdo bisedë. Është dëshira dhe kryenaria ime shqiptare që më bën të fantazoj. Pse jo! Kombet bëjnë histori jo me të varfër, por me të mënçur dhe të pasur.Jo me mburracakë e gjoksin “gropë” , por me djem xhevahirë si Maltin Repishti. Ndaj kjo dasmë është më shumë se dasmë në historinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptaro-amerikan në Minesota. Kam darkuar disa herë me Maltninin. Në çdo takim kam zbuluar anë të reja të këtij njeriu që nuk bart thjesht vlera shkodrane apo shqiptare, por në atë që kam arritur të kuptoj, ai bart vlera universale njerëzore dhe intelektuale, që pak kush mund ta arrijë...Ndaj, ndihem mirë që ky djalë plot ëndrra dhe pasione, bashkon vlerat me një familje që vjen nga “Parisi i vogël” i Shqipërisë, nga Korça e kulturës dhe kurbetit historik, që gjithsesi tregon çdo të thotë familje dhe traditë. Bashkim e Drita Misliu erdhën në SHBA vetëm 7 vjet më parë dhe kuptuan se kyçi i suksesit është kultura dhe edukimi, ndaj mbështetën si prindër të rrallë shkollimin e vajzës, që rasti e solli të njihej e dashurohej me një doktor nga Shkodra. “Ruaji fëmijët nga kjo liri pa kufi Shefqet, jepu diçka nga ai zjarri shqiptar që na ka mbajtur gjallë dhe Faik bej Konica na e ka bërë të qartë…” më thotë babai i Lorit, Bashkim Misliu, cili është një tjetër shembull se çdo të thotë të jesh ai që je në këtë vend ku nuk ka kufij dhe diktat për sa kohë je ai që do të jesh… Image

***

Njeriu ka disa momente në jetë.Por ato sikurse është thënë janë vetëm tre momentet themelore: kur lind gëzon të tjerët, kur martohesh gëzohesh ti dhe shumë të tjerë, kur vdes: ti s’di se ç’ndodh …Pra dasma e një njeriu që don vërtet të fillojë një jetë të re, me shpresa dhe ëndërra, është momenti i vetkontrollit të gëzimit dhe krenarisë tënde. Ndërsa gëzoj këtë moment martesor të çifit të ri, nuk mund të mos kujtoj martesën time 18 vjet të shkuara, ku duhet të bëhej lista gati një vit më parë për të arritur te një dasmë normale. Ndërsa Maltini më tregonte për problemet e dasmës së vet, unë revokoja dasmën time dhe ky djalë me siguri qeshte ndërsa flisnim në telefon…Ka të drejtë të qesh, se edhe unë qesh me paradokest e të kaluarës shqiptare, ndërsa gëzoj këtë dasmë që do të kujtohet për kohë të gjatë…

***

Ciceroni shekuj më parë ka thënë: “Pranga e parë e shoqërisë është martesa, tjetra janë fëmijët tanë dhe më pas gjithë familja dhe gjërat që na bashkojnë…”.Ne të gjithë i jemi gëzuar këtij “prangimi” si një ligjësi universale. Dasmat tona janë spektakle të këngës e valles ku gëzojnë të gjithë pranë çiftit të ri. Kështu ka qënë, kështu do të jetë... Është një mëngjes i shkëlqyer për çiftin Repishti. Deklarimi i tyre zyrar si burrë dhe grua u bë në nja nga mjediset më luksoze dhe më të pasura të këtij metropoli: Kullat Karlson në Minetonka. Secili erdhi me atë dëshirë për të përjetuar inagurimin zyrtar të çifit.Nuk ka tabaka që të imponojnë pijen, ka një liri ndryshe për secilin. Një protokoll i thjeshtë, por domethënës. Mysafirët duhet të shoqërohen deri tek vëndi ku duhet të ulen dhe ndjekin ceremoninë zyrtare.Është një përcjellje aristrokate që bëhet nga një grup i posaçëm. Radha e parë është për familjarë dhe vetëm famijarë. Njerëz të posaçëm përcjellin çdo çift tek amfiteatri i martesës. Një muzikë e lehtë shoqëron çdo ardhje. Çdokush që shoqëron miqte në amfiteatër është shqiptar. Respekti është i njëjtë për secilin. Nuk ka “mysafir special”, të gjithë janë të tillë: specialë... Dhe ja, nusja vjen si në përralla me një karrocë të ëndrravë me kalë të bardhë. Një karrocë princërore sjell Lorin tek krahët e Maltin Repishtit. Babai i vjazës, Bashkim Misliu, përcjell atë prej karrocës deri tek dhëndri i qeshur. Bukuria e saj e bardhë pushton hapësirën midis dy kullave të arta. Ajo zbret shkallët drejt amfiteatrit të martesës me Maltin Repishtin. Lori Misliu, bukuria yjnore e kësaj dite, mbështetet lehtë tek babai i vet , ndërsa hedh hapat e fundit të vajzërisë së saj…Është ky moment i bukur, ku babai mban lotët burrërisht dhe ia dorëzon vajzën atij që i përket. Një moment i pushtetit të ndjenjave prindërore që vetëm prindërit i kuptojnë, pa lotë gëzimi, lotët janë fshehur thellë në zemra, lotët janë mbuluar nga shkëlqimi vezullar i kësaj dame monument për çiftin… Image

“O dhëndër ku vete kështu,
Der tek nusja kam pak punë…”


Zëri i Mentor Xhemalit, artistit të madh shqiptar, sikur kumbon në këto dy kulla madhështore ku kurorëzohet martesa. Babai nuk qan, të dyja nënat, Ixhlal Repishti dhe Drita Misliu, shikojnë të lumturuara krijesat e tyre, ndërsa dhëndërri qesh dhe merr lehtë përkrahu nusen e vet... Çifti hedh hapat e parë të martesës...Së thelli shpirtit vjen një këngë...Si ngashërim gëzimi..Kënga jonë të bën të qash, por këtu nuk njihet e qara... Lotët nganjëherë janë të bukura, por i ruajmë brenda, që të respektojmë miqtë dhe gëzimin familjar…Lotët janë edhe shprehja më e plotë e gëzimit, por në këtë dasmë nuk pati të tillë vetëm sy të ngazëllyer nga gëzimi fatlum…Nëna e Maltinit qesh, qesh hijshëm, kështu edhe nëna e nuses, kështu edhe babai, kushërirat, kështu qesh edhe motra e dhëndërrit që ka ardhur nga Kanadaja, qesh edhe daja, edhe nipi, qeshim të gjithë ne, ndërsa çifti ngjit shkallët e kurorëzimit bashkëshortor…

Një kohë që ndrit. Diell që ndrit në këtë moment… një shatërvan madhështor në sfond. Një hark-ylber sikur bekon me ngjyrat e bukura çiftin Repishti…Një zë solemn ndiqet emocionueshëm nga çifti dhe dasmorët: “… ju deklaroj burrë dhe grua…” Duartrokitje.Shatërvani vijon të përcjellë ujë të kristaltë në lartësi dhe hapësirë duke krijuar magjishëm fiongon ylber të kësaj martese… Dhe çifti puthet para të gjithëve. Është puthja më e bukur publike.Të gjithë duartrokasim këtë moment, ndërsa çifti na përshdëndet përmes një buzëqeshje pasputhjes, që përcillet në hapësirën e kaltëroshe të qiellit. Ndërsa ndjek këtë moment, më kujtohet Jakov Xoxa që shkruante qysh në kohë të diktaturës së kundërputhjes:

“ Një urë lidh dy brigje/ Një e puthur mbyll dy shtigje…”

Kjo reminishencë e letrave shqipe, më bën të shkoj rrufeshëm tek e shkuara jonë, që është memorje për dhjetra çifte në këtë dasmë. Por befas, çifti i porsaputhur lëshon dy pëllumba të bardhë në qiellin e kaltër, ndërkohë që qindra flutura të bukura pushtojnë amfiteatrin e martesës… Ky fluturim magjik na çon të gjithëve me vështrim nga qielli i pastër...Dy pëllumba të bardhë e shumë flutura plot ngjyra të ndezura, sikur vallzojnë tangon e çifit...Nuk ka një simbiozë më të bukur se kjo për një çift që hedh hapin e parë në jetën bashkëshortore… Ndaj vargjet poetike “Premtim” duket se këndohen e shkruhen në hapësirë nga qindra flutura krahëhapura rreth të sapomartuarve dhe dasmorëve:
“Për gjithë jetën do të shëtis me ty,
në pyjet me gjelbërim dhe brigjet me rërë
dhe kur jeta në tokë do të shkojë diku,
në parajsë, gjithashtu, unë do të të jem pranë…”



****

Pragdarka e dasmës ka filluar. Dasmorët janë shpërndarë lirshëm pranë amfiteatrit që kurorëzoi çiftin. Është një moment për të njohur, miq, shokë dhe kolegë të Dr.Repishtit. Një orkestër luan dirket melodi të ndryshme që shpërndojnë gjithandej një puhizë gëzimi.Secili zgjedh pijen e preferuar dhe ka filluar kështu dasma e shumëpritur. Çifti rikthehet nga shëtitja e parë me karrocën e princërore dhe pasi takojnë shokë e miq, bashkohen me familjet dhe të afërmit dhe bëjnë fotografi. Kolegët e Maltinit duket se janë krenarë për të. Ata futen në biseda për të mësuar më shumë për “sekretet” e djalit nga Shkodra. Duke e parë qartë këtë kërshëri u them: “Maltini ka një sekret të thjeshtë: punën dhe mirësinë…Kjo e bën të ketë sukses dhe ta duan të gjithë…”. “Ke të drejtë, ne e shohim këtë përditë tek puna dhe arritjet e tij…”- thonë kolegët duke qeshur.

Por nuk janë vetëm kolegët. Në këtë dasmë, mjeku ka ftuar edhe ish-pacientë të vet. Duket se ata janë edhe më të lumturit në këtë ditë. “Doktori më shton jetë dhe shëndet sa herë që më viziton- thotë Lerri, një pacient i Dr.Repishtit. Ai di të më respektojë dhe është ky respekt “kura” e parë dhe domethënëse që më jep doktori im…Dhe për më tepër, unë jam i ftuar në dasmën e tij…Jo të gjithë janë si Dr. Repishti. Ai është i veçantë…”. Natyrshëm ndihesh mirë ndërsa dëgjon komente të tilla e trokas gotën e gëzimit në këtë dasmë. “Të trashëgohet çifti…” Është ky urim domethënsës që përsëritet e përsëritet...Ca tabaka të mbushura plot me “mikromeze-fantazi” lëvizin midis grupeve të dasmorëve. Dielli lëviz drejt perëndimit. Dy kullat e larta duket se nuk bëjnë hije kund, por sikur derdhen madhërishëm në gotat e pijeve tona…Nuk ka hije në dasmë si kjo, ka vetëm dritë dhe shkëlqim. Gazmend Xhelilaj është një pjesëtar i komunitetit i ftuar nga Dr.Repishit. Ai është bashkë me Silvën dhe vajzën e tyre dy vjeçare Ina, që di edhe shqip edhe anglisht. Ata sapo janë kthyer nga Shqipëria. “Dasma jote solli dasma të tjera…E hoqe këmbën zvarrë”- i them duke qeshur Gazit. Ai qesh. Gazmendi është martuar 3 vjet më parë diku pranë liqenit të Minetokës.. Përpiqemi të heqim paralele mes dasmës së tij dhe kësaj që gëzojmë këtë moment, por dy dasma nuk janë kurrë të njëjta.

Tingujt e muzikës na gëzojnë thellë në shpirt. Është një dasmë që të shlodh ndërsa sheh madhështi, luks dhe bujari shkodrane. Mbi të gjitha çifti vjen si një dritë e gëzim feksës. Ndërsa futemi në sallonin e dasmës, vallzimi i parë u përket atyre që na sollën në këtu: Lori dhe Maltin. Prej këtij momenti të gjithë duket se janë të dehur ende pa pirë… Maltin Repishti uron gëzim për secilin dhe tavolinat kanë përplasur gotat ...

Është një moment ku duam të themi shumë, por edhe duam që dasmorët të gëzojnë dhe dëfrehen. Shoku dhe miku i Maltinit, Dr.Petrit Ndrio nga Çikago kërkon të thotë shumë e më shumë nga sa lejon protokolli i kësaj dasme. Në pak minuta ai thotë shumë: “Ne ikëm të dy nga Shqipëria, por ikëm ndryshe. Maltini pat fat do të fluturonte drejt Amerikës, ndërsa unë i pafati mora rrugën më këmbë e kalova kufirin nëpër ferra drejt Greqisë… Ishte dhimbje dhe mundim, por burrat i provon mundimi dhe vuajtja, jo thjesht qefi dhe jeta e rëhatshme…Ne ishim shokë dhe u ndamë dhimbshëm, por pas vitesh gjetëm njëri tjetrin në San Diego dhe, prej atij momenti unë mësova nga Maltini se si të filloj karrierën në shëndetsi…Burri i mirë mbetet i mirë- ky ka qënë dhe është dhëndrri i kësaj dasme Maltin Repishti…Të trashëgohet çifti!”

Vokona Repishti, motra e Maltinit sjell një moment dhimbje e gëzimi në dasmë. Motra e mirë e dhëndërrit nuk mund të rrijë pa sjellë këtu babain tyre, Xhavit Repishti. Në pak radhë të shkruara në anglisht dhe shqip, ajo bën sallën të drithërohet, ndërsa babai i ikur nga kjo jetë, vjen magjishëm në dasmë përmes lotësh mallëngjimi. “…Babai nuk arriti këtë ditë, por ai është këtu dhe gëzon këtë dasmë sikurse secili nga ne…Ai është këtu sepse e deshte aq shumë djalin e vetëm, njeriun e shpresës dhe suksesit Maltinin…Ne gëzojmë këtë moment, por edhe me dhimbje që nuk mundemi të trokasim gotat me babain e dhëndërrit…Gëzuar e gëzime paçi ju të gjithë…Ky ishte edhe urimi-dëshirë i babait që mungon fizikisht në këtë dasmë…Por gjithsesi ai është këtu dhe na thotë: Gëzuar!”

Maltini do të më fliste shpesh për babain ndërsa i shërbente në shtëpi. “ I shtova aq vite jete sa munda, por ajo sëmundje ishte e rëndë…”- më thoshte Maltini një vit më parë ndërsa kishte njeriun e dashur. Dhe instiktivisht ai do të sillte kujtime me babain e vet ish-pedagogun në shkollën veterinare ku është diplomuar autori i këtyre radhëve. Unë nuk pata shans ta njihja nga afër, por ish-kolegët e mi gjithmonë përcollën mendime të shkëlqyera për Xhavit Repishtin. “Ne dëgjonim çdo mbrëmje “Zërin e Amerikës” qysh kur unë isha fëmijë….” Do të më thoshte një darkë Maltini. Natyrisht tashmë ky zë akoma është në efir, por ne që jetojmë këtu nuk kemi nevojë ta dëgjojmë më… “Nuk e njoh djalin e Xhavit Repishtit, do të më shkruante nga Tirana, As.Prof.Xhevdet Bashllari (veteriner dhe gazetar), por besoj se i ka ngjarë babait të tij, që ka qënë një njeri i shkëlqyer i frymëzimeve të avancuara rinore qysh në atë kohë të errët…”.
“Gëzuar…Të trashëgohet çifti…”- më shkund nga kujtimet Dritan Hoxha. Është miku dhe kolegu i Maltinit. Tan Hoxha duket se të përcjell atë fytyrë mendimtare të Shkodrës. Ai ka punuar 10 vjet si pediatër në Shkodër dhe tani ka rifilluar jetën në Kanada. “Mos humb kohë, ktheju zanatit si Maltini…” i them duke bërë shaka…Ai qesh. Ka një djalë dhe bashkë me gruan duket se janë të lumtur në Kanada…. “Eja këtu se do të shohësh se Kanadaja është aq prapa në disa anë… Ai qesh dhe shkodrançe më thotë: “A je i marrë a ban vetë…”

12 gusht 2007. Dasmë moderrne me tone shkodrane. 25 km në lindje prej këtij vëndi, aty në Mineapolis, ka dhënë gjuhën shqipe për amerikanët shkodrani Arshi Pipa. Në Universitetin e Minesotës ai ka qënë një personalitet i gjuhës dhe kulturës shiptare. Zoti Pipa mësoi shumë amerikanë të flasin shqip, madje ish-studentë të tij amerikanë u bënë edhe dhëndurrë të Tiranës. Ai kurrë nuk ëndërroi se pikërisht këtu, në pjesën më të pasur të Minesotës , një shkodran do të bënte një dasmë moderrne, madje duke u martuar me një shqiptare-amerikane. Pipa nuk u martua kurrë… Nëse do të jetonte, Prof. Pipa mbase do të ishte i ftuari special i kësaj dasme, por ai nuk do ta besonte se kjo do të ishte sa dasmë amerikane aq edhe shqiptare…Pipa nuk arrinte të njihte mprehtësinë e guximin për ndryshim të brezit që rrënoi diktaturën e Enver Hoxhës. Maltin Repishti ishtë një nga këta djem të revoltës dhe rilindjes demokratike në Shqipëri. Pas fitores së parevokueshme, ai e pa të ardhmen e vet në SHBA. Erdhi me shumë ëndrra e vullnet të paepur dhe vetëm me disa dhjetra dollarë në xhep. Dhe shihe dasmën që bën sot më 2007… Jo, Arshi Pipa mbase mund ta gëzonte këtë dasmë, por nuk do ta kuptonte kurrë… Image


****

“Mirëmbrëma, mirëmbrëma Shkodra jonë
A ke bukë, a ke bukë me na dhanë?…
Sa ka deti, sa ka deti ujë e ranë…”




Ne që kemi kujtime dhe mbresa me Shkodrën e shkodranët, e kemi kënduar këtë këngë sa e sa herë… Më duket se kjo këngë prelud përcilled nga tavolina në tavolinë...Dhe kthehet jehonë si himn i gëzimit në këtë dasmë...Ka qënë Shkodra loke, monument i kulturës, lashtësise dhe historisë shqiptare, që gjithmonë na ka dhënë diçka. Na ka bërë për të qeshur, kur kemi qënë të mërzitur, na ka ngopur kur “s’kemi pas gja me ngranë…”, na ka ngrohur kur kemi qënë në “bukurinë që vret” të Migjenit të madh. Shekulli i Migjenit ka ikur. Brezi i ri i Migjenit tashmë është plakur, ose ka vdekur. Migjeni nuk mendoi se “bijt e shekullit të ri” do të shpërthenin furishëm kaq larg Shqipërisë, diku në Perëndim, në Amerkë…
Ndërsa këngët kanë qënë këngë dhe dëshirat kanë qënë dëshira,sot ato i prekim dhe jetojmë. Është një shkodran, një djalë me emrin unik Maltin Repishti, biri i vetëm i Xhavit e Ixhlal Repishtit, që shpalos gjithë këtë bujari dhe mirësi në një dasmë lluksoze, të bollshme, të këndëshme dhe plot urime të bardha, ku bashkohen familja, krushqia, shokë, miq dhe kolegë…Një familje e madhe, në një dasmë të madhe. Një dasmë për të gjithë ata që dinë çdo të thotë mirësi dhe botë shkodrane. Sërish sjell në mend vargjet domethënëse për këtë ditë:

“Për gjithë jetën do të shëtis me ty,
në pyjet me gjelbërim dhe brigjet me rërë
dhe kur jeta në tokë do të shkojë diku ,
në parajsë, gjithashtu, unë do të të jem pranë…”


Sot martohet Maltin Repishti! Jetë të lumtur çifit! Qofshi përherë të lumtur dhe të trashëgoheni Lori dhe Maltin! Image


Shefqet Meko
Minneapolis, SHBA
12 gusht 2007
 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.