Home Emigrantet Amerike Shtetsia Amerikane...kliko ketu...
|
|
Shtetsia Amerikane...kliko ketu... |
Testi për shtetësinë amerikane SHBA harton pyetësorin e ri me 100 kërkesa për marrjen e qytetarisë. Aplikimi nis këtë muaj, por ofrohen edhe mundësi studimi Marre nga Gazeta “SHQIP”
Një test i ri për përfitimin e shtetësisë amerikane sapo është hartuar. Ai do të fillojë të aplikohet brenda muajit tetor të këtij viti. Ndërkohë që autoritetet zyrtare bëjnë të ditur se tashmë 100 pyetjet që përmban provimi për natyralizimin e të gjithë emigrantëve, përfshirë këtu edhe ata shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është lehtësuar në raport me paraardhësin. Specialisti për Emigracionin në Ministrinë e Punës, Durim Hatibi, duke iu referuar kanaleve zyrtare pohon se aktualisht Shërbimet e Shtetësisë dhe ato Emigratore në SHBA ose ndryshe USCIS, bënë publike 100 pyetjet dhe përgjigjet e tyre. Sipas Hatibit këto do të përbëjnë edhe "komponentin e edukatës qytetare" të testit të ri mbi shtetësinë. Specialisti për emigracionin sqaron më tej se struktura e USCIS do të fillojë administrimin e testit të ri në tetor 2008, duke u dhënë të gjithë kandidatëve mundësinë e studimit të tij për afro një vit.
Sipas USCIS, testi i rishikuar i natyralizimit do ta vendosë theksin kryesisht mbi "konceptet themelore të demokracisë amerikane, themelet e historisë së SHBA-së, si dhe mbi të drejtat dhe detyrimet e shtetësisë".
Gjatë një harku kohor që startoi që prej fillimit të vitit 2007, më shumë se gjashtë mijë kandidatë në kërkim të marrjes së shtetësisë amerikane, vullnetarisht iu nënshtruan këtij testimi të ri. Kështu, në dhjetë qendra të USCIS në të gjithë vendin ata dhanë provimin mbi njohuritë e tyre në historinë dhe kulturën e Shteteve të Bashkuara.
Të dhënat e bëra publike nga USCIS saktësojnë se 100 pyetjet u përzgjodhën nga një grup studiuesish të historisë dhe të qeverisjes së SHBA-së, por edhe të mësuesve të anglishtes. Ky grup pune mundësoi rishikimin e përgjigjeve mbi 142 pyetje në total. "Ne jemi shumë krenarë për këtë test të ri dhe për mënyrën e hapur me të cilën bashkëpunuam me të gjithë aktorët, përgjatë të gjithë procesit", u shpreh Emilio Gonzales, drejtor i USCIS. Ai shtoi se "së bashku zhvilluam një test, që do t‘i nxisë kandidatët për marrjen e shtetësisë të mësojnë dhe të identifikojnë vlerat themelore qytetare, që na bashkojnë ne si amerikanë".
Sipas specialistëve, ndryshimi themelor nga testi i mëparshëm është se ka shumë më pak kërkesa (pyetje) që kërkojnë përgjigje të qarta, të bazuara në fakte. Ndërkohë që janë rritur pyetjet, të cilat kërkojnë një minimum arsyetimi. Por megjithatë, hartuesit dhe mbështetësit e këtij testi të ri shprehen se kjo kërkon një studim më të thellë të historisë dhe kulturës së SHBA-së. Kështu, aty nuk gjen më emrat e shtetit të 49, apo 50-të, që hynë si anëtarë të Unionit, sikurse nuk gjen edhe pyetjen se "cili është shteti, kundër të cilit kemi luftuar gjatë revolucionit (Britania e Madhe)". Sidoqoftë, emigrantët duhet të shpjegojnë se përse kolonët luftonin kundër britanikëve, apo të japin një ide të përgjithshme se çdo të thotë të jetosh në një "shtet të së drejtës".
Nga testi i ri del për shembull Frencis Skot Kei, autori i himnit kombëtar amerikan, por bëhet pjesë e pyetësorit Nensi Pelosi, emrin e së cilës duhet ta njohin emigrantët si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve. Gjithashtu, ka pyetje që nuk do të sjellin vështirësi të veçanta: për shembull nuk do të jenë të shumtë shtetasit e ardhshëm amerikanë që nuk e dinë "se çfarë evenimenti me ndikime të mëdha ndodhi më 11 shtator 2001". Por, ama me të gjitha gjasat nuk do të jenë të shumtë ata që do të dinë t‘i përgjigjen kërkesës për të kujtuar një emër autori të "Federalist Papers" një sërë artikujsh madhorë, që vendosën bazat e Kushtetutës së SHBA-së. Pikërisht kjo kërkesë u përdor si argument nga organizata të ndryshme hispanike, apo aziatike, që mbështesin idenë se ka një projekt politik, prapa 100 pyetjeve të reja. Sipas tyre, disa republikanë konservatorë ushtruan ndikimin e tyre për futjen e "Federalist Papers" në përmbajtjen e testit, sikurse nuk mungojnë edhe ata që mbështesin idenë se "administrata Bush" ka dëshirë për ta bërë gjithnjë dhe më të vështirë dhënien e shtetësisë së SHBA-së për emigrantët e ndryshëm, akuza që mohohen fuqishëm nga kjo administratë.
Emilio Gonzales, drejtor i Shërbimeve të Shtetësisë dhe Emigratore në SHBA (USCIS) shprehet se "ky është një test për marrjen e shtetësisë me natyralizim, që përcakton mirëfilli njohje nga ana e atij që përgatitet të bëhet shtetas i SHBA-së. Me pak fjalë, nuk është më një test mbi atë se sa yje, apo breza ka në flamurin tonë, por lidhet me ato gjëra që e bëjnë Amerikën, atë çka është realisht". Aktivistët pro-emigrantë ankohen se testi vjen si një barrierë e re, në një skenar të mbizotëruar nga debati i ashpër mbi emigrimin, duke mos harruar tarifën e domosdoshme për paraqitjen e kërkesës për marrjen e shtetësisë. Kjo shumë arrin vlerën e 675 dollarëve amerikanë.
Testi i nënshtetësisë u "vulos" nga pilotimi praktik
Përpara aplikimit në tetor të këtij viti të testit të ri për marrjen e nënshtetësisë, ky i fundit i është nënshtruar një periudhe pilotimi.
Specialistët bëjnë të ditur se në Shtetet e Bashkuara, gjatë periudhës së kolaudimit në praktikë të këtij testi, USCIS i riformuloi pyetjet dhe përgjigjet. Kështu, disa prej tyre u eliminuan, ndërkohë që u shtuan një seri pyetjesh të tjera. Sipas tyre, kjo u bë me qëllimin për të arritur një nivel të lartë qartësie. Në këtë mënyrë, pas pilotimit të këtij projekti u arrit në përfundimin se pyetjet më të domosdoshme në numër janë 100 nga plot 96 që kishin qenë në testin e mëparshëm.
"Fusha e përgjigjeve të pranueshme ndaj pyetjeve do të zgjerohet, kështu që kandidatët do të mund të mësojnë më shumë rreth një teme dhe të përzgjedhin mes një shtrirje më të gjerë përgjigjesh", shprehej USCIS në një deklaratë për shtyp. Një prej shembujve ilustrues ishte: "Cila është një e drejtë, apo liri nga Amendamenti i Parë?". Kandidati mund të përgjigjet me një sërë mundësish, si ajo e fjalës, besimit fetar, e grumbullimit, shtypit dhe të tjera alternative.
USCIS e ndërmori këtë projekt pilot gjatë intervistave reale për marrjen e shtetësisë. Vullnetarët që morën pjesë në këtë provë testimi arritën një nivel kalimi të përgjithshëm 92.4 për qind, që në provën e parë. Kalimet pozitive, të ndara sipas komponentëve, ishin: "Edukatë qytetare 93.7 për qind; lexim, 99.8 për qind dhe shkrim 99 për qind.
Në vijim të projektit pilot, një rishikim i dytë i ndërmarrë nga USCIS dhe një grup mësuesish të gjuhës angleze u përqendruan në përpjekjen për t‘i bërë pyetjet e qarta për ata që sapo kanë filluar të përftojnë aftësitë gjuhësore të anglishtes.
Provimi
Kusht për emigrantët, mësimi i histories
Përballë emigrantëve që detyrohen të braktisin atdheun e tyre, për të jetuar në shtete me standarde më të larta, janë shtuar edhe një seri detyrimesh të reja. Një ndër to është rëndësia që i kanë kushtuar shumë qeveri një provimi që teston informacionin që të huajt, aspirantë për nënshtetësi, kanë për vendet e tyre e sidomos për historinë, kulturën dhe domosdoshmërish gjuhën.
Në këtë drejtim edhe vende të tjera madhore emigrant-pritëse po u mëshojnë fort testeve të marrjes së shtetësive të tyre, si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Australia, në një përpjekje për të forcuar integrimin e emigrantëve që kërkojnë të marrin shtetësinë, gjithë kjo përmes një procesi të të mësuarit.
Në rastin e Mbretërisë së Bashkuar, testi tani vonë u shndërrua në një nga kërkesat kryesore për kushtet që duhet të plotësojnë emigrantët që kërkojnë qëndrim të vazhdueshëm. Po kështu edhe testi i ri për marrjen e shtetësisë australiane, në të vërtetë mori miratimin e Parlamentit të këtij vendi gjatë këtyre muajve të fundit. Aktualisht emigrantëve nuk u mbetet gjë tjetër që përveçse të punojnë, të mësojnë fort për të njohur kulturën dhe historinë e vendeve ku jetojnë dhe ku preferojnë të bëhen nënshtetas. |
|
|
|