Home Emigrantet Amerike "Dita e Flamurit"-Shefqet Meko...kliko ketu...
|
|
"Dita e Flamurit"-Shefqet Meko...kliko ketu... |
KJO DITË E NËNTORIT… -Meditim në 95- vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë- Nga Shefqet Meko- Mineapolis, SHBA 28 Nëntor 2007…Pragdimri kudo…Këtu në Minesota ka filluar dimir…Është ftohtë dhe ndërsa sodit fjollat e borës , ke dëshirë të mendosh…Sot është Dita Shiptare.
95 vjet më parë burrat e mençur të këtij kombi të moçëm patën guximin dhe vullnetin e përbashkët për të deklaruar mëvehtësinë shqiptare. Akoma nuk i dinin mirë kufijtë, por nuk pritën, nuk heshtën, nuk u frikën dhe bënë aktin patriotik të VLORËS. Shqipëria me flamurin dhe emrin e vet…Shqipëria komb më vehte…
95 vjet më parë atë pragdimri të 1912-ës, burrat nga çdo nahi shqiptare ditën të bashkoheshin dhe të ngriheshin mbi ndasitë e kohës dhe sfiduan kancelaritë europiane duke nënshkruar aktin më historik të një kombi fatkeq në zemër të Ballkanit plot barut dhe armiqësi.Qysh nga ajo ditë, shumë ngarje ndodhën, por asnjëra nga to nuk do të kishte peshën dhe historinë e 28 Nëntorit 1912. Qysh nga ajo ditë shumë shqiptarë kërkuan karrierë,lavdi dhe histori, por askush nuk arriti peshën shekullore të kësaj dite. Plaku i bardhë i atij Nëntori Ismail Qemali, çeli një epokë të një kombi që ti dhe unë, kudo ndodhemi, e ndiejmë thellë në shpirt si instikt the vetëdije që jemi shqiptarë. “Kemi ikur nga Shqipëria për të “mbjellë” nga një mikro-Shqipëri kudo në botë…” do më shkruante kohë më parë nga Italia publicisti Edmond Kaceli…
Në këtë përvjetor unë jam i ikur, si mijra të tjerë, por sërish një sy dhe një rrahje zemre e kemi atje te vendi që na dha një emër unik në këtë botë të qindra kombeve dhe qindra kulturave…Dhe midis të shumtëve dhe midis të ndryshmëve jam edhe unë, ndryshe; me emrin ndryshe, me gjuhën ndryshe, me historinë dhe kulturën ndryshe…Faleminderit Ismail Bej Vlora…
Mbrëmë deri vonë ndoqa në internet se si do ta pasqyronin këtë ditë lavdie mediat shqiptare. Jemi kaq pranë shekullit të parë të pavarësisë sonë, e kjo do të thotë se ky 28 Nëntor duhet të jetë i madh, i bujshëm, plote festë dhe krenari…Por në vend që të shoh reklamë për ditlindjen e kombit, në gazeta shoh se politikanët flasin akoma për spiunë dhe spiunllëqe, se kryeminsitri kercënon me gisht spiunët e mban nën sqetulla spiunë, se në parg të kësaj dite të madhe presidenti i vendit tim viziton Greqinë dhe flitet për tu kthyer prona grekërve, kur vetë ish-pronarët shqiptarë janë të xhveshur nga pronat…Nuk shoh atë që duhet të shoh: brohoritje për kombin.
Amerika është një komb i bërë prej kombeve, por kur vjen 4 Korriku kudo buçitet çdo vit për këtë ditë të pavarësisë. Biznesi feston duke shitur sa më shumë, media reklamon dhe flet për këtë ditë, gjithë kombi është i zgjuar në vigjilje të kësaj ditë…Shqipëria ime e përgjumur…Gazetat që shkruajnë me germa të zeza e të mëdha “Jeta ime krimi” Ose “Dita e parë e prokurores …” të përgjumura në ditën e madhe të kombit.
Meditoj ne këtë ditë nga Amerika dhe kujtoj me respekt punën e vështirë të rilindasve që sollën shpëtimin kombëtar dhe 28 Nëntorin. Emrat e tyre vijnë plot llamburitje e shkëlqim në memorjen time ikanake, kujtoj ata heronj që kanë vdekur me emrin Shqipëri në gojë. Heroi i parë amerikan Nathan Heil ndërsa do të ekzekutoj nga anglezët, kur u pyet nesë kishte ndonjë peng ne jetë ai tha: “E vetmja gjë që më vjen keq, është se kam vetëm një jetë për ta dhënë për vendin tim”. Heronj të tillë ka pasur shumë edhe Shqipëria, por ata janë harruar, madje edhe në këtë ditë jubilare mezi kujtohen.
Kjo ditë Nëntori 95 vjet më parë shënoi një epokë. Qysh atëherë dhe deri më sot, e mira dhe e liga shqiptare janë përplasur dhe vijojnë të ndeshen, shqiptarët e mirë dhe gjarpërinjtë e kombit ende nuk mund të pajtohen, sërish të dy palët janë palë shqiptare janë të kundërtat e një të tëre që ekzistojnë brena kombit si çdo komb tjetër. Problemi shtrohet kush mbetet në mazhorancë. Për fat të keq, e keqja shqiptare ka pasur një fuqi shpesh magjike që na ka dëmtuar dhe vijon të na dëmtojë. Kombi në një moshë madhore ende udhëqihet nga “kalamaj politikanë” që luajnë me nervat dhe fatet e individit shqiptar. Shkon në Shqipëri me mall dhe ikën i zhgënjyer.Arsyen e kësaj nuk e shpejgon dot as Kadareja në një intervistë të kohëve të fundit.
Dicka ndodh me kombin tonë: nëpërkëmbja vjen nga “gjinia jonë”. Para se të kërkojmë respekt nga të tjerët, ne duhet të mësojmë të respektojmë “ mes vedit tone” sic thonë shkodranët. 5 vjet më parë pata rastin të isha në Tiranë në ditën e 90 vjetorit të pavarësisë.Atë ditë përcolla në varreza babain tim të dashur, dhe po atë ditë (falë mikut tim Dr. Zef Preçi) pata një ftesë nga ish-presidenti Moisiu për të festuar në Pallatin e Brigadave. Unë isha në mort, por gjykimi im u ngrit mbi momentin dhe mentalitetin tradicional. Nëse babai do të ishte gjallë do të më thoshte: ‘Shko dhe festo ditën e madhe të flamurit…” Dhe unë shkova se nuk vij dot përditë në Tiranë. Luksi në këto pritje është i njëjtë me perëndimin..kortezia diplomatike po ashtu…Ajo ishte një pritje e madhe ku politikanët i qeshnin me hipokrizi njëri-tjetrit. Natyrisht aktori kryesor ishtë Fatos Nano. Të gjithë rreth tij dhe bukuroshes Nano…Të gjithë përdridheshin që “shefi të kënaqej” dhe shefi pinte xhin dhe shkundëte puron në një taketuke të madhe që dikush e sillte gjithmonë rreth tij….Unë kurrë nuk kam parë këtë lloj fodullëku. Fatos Nano ka kujtesë po aq të mporehtë sa edhe Sali Berisha.Ndërsa më pa në sallë më pyeti: “Ku je Çeto, nuk të kam parë…” “Jam larg, zoti Nano, tek kombi dhe vendi i madh….Në Minesota të SHBA-së…” i thashë. “A ka shumë bashkëatdhetarë atje?” Më pyeti sërish Nano. “Jo shumë, ca fare të rrallë, por unë bëj punën e ambasadorit të pakreditur për Shqipërinë…” “Aha, e ke gabim, nuk mund të jesh i tillë pa testën e Partisë…” më tha Nano duke qeshur. “Në Amerikë testat nuk pinë ujë zoti Nano…” dhe pëplasëm gotat duke uruar pavarësinë.
Pas meje prisnin në radhë deputete dhe partiake të shtrëngonin duart me Nanon dhe të linin përshytpje positive tek zonja e tij, e cila mbante shënime në memorjen e saj vizive, për çdo tip në atë pritje… Ika me shije të hidhur: Ne i vijmë vërdallë dikujt vetëm se kemi nevojë për pushtetin dhe miklimin e tij, jo sepse respektojme njeriun si njeri. Pse kaq e pushtetshme kjo sjellje e shëmtuar e njeriut dhe shqiptarit e veçanërisht?... Sot në mbrëmje aty në Pallatin e Brigadave do të jetë i njëjti skenar vetëm se aktorët do të ndryshojnë…Jam i sigurt se aktori kryesor do të mbetet Berisha edhe pse ligjërisht i pari i asaj pritje është Bamir Topi…
Por, kohët kanë për të ikur…Do të vijë shekulli i parë i pavarësisë dhe do të na vijë turp që këtë 95 vjetor e festojmë gati vjedhurazi, kur më shumë se kurrë duhet festë, rekalamë ndaj kombit të moçëm që mezi pret t’i japë pavarësinë gjysmës tjetër të kombit në Kosovë…Nëse ne kishim rast historik të bënim “Big shou” kjo ishte dita… Fqinjët do të shihnin, Europa do ta shikonte dhe bota do të bindej se shqiptarëve u duhet dhënë e drejta…Ky është përvjetori i parë i pavarësisë kuR mund të krenohemi se këtë vit për herë të parë njeriu i Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Bush, vizitoi Tiranën…Sepse, është histori, nëse një shekull me parë ndaj kancelarive dredharake të Europës nuk do të ishte qëndrimi i prerë amerikan për Shqipërinë “të ekzistojë”, ne kurrë nuk do të festonim sot pragshekullin e pavarësisë.
Ndryshe nga dhelpëria diplomatike e Parisit, Londrës apo Berlinit, ndryshe nga ajo pavendosmëria europiane për Shqipërinë që duket qartë edhe sot, Presidenti Willson tha: “Shqipëria të ekzistojë…” .Diplomatët e Europës që Shqipërinë e shihnin ende si “shprehje gjeografike” nuk e prisnin këtë, por ishte shpresa dhe mbeshtetja më e madhe ndaj kombit më të vogël…Historia fillonte edhe tek kjo mbështetje e sinqertë… Qysh nga ai fillim shekulli Amerika filloi të bëhej edhe “atdheu dytë” për mijra shqiptarë. Dhe këtu ne jemi vërtet të lirë dhe të barabartë…
Ndihem mirë që si shqiptar jam pjesë e Amerikës që dha shpresën e madhe për kombin tim… “Shqipëria do të bëhet dhe do të kapërcejë ëndërrat dhe dëshpërimet e brezit tuaj dhe babait tim”- me vijnë në mendje fjalët që më thoshte pedagogu shqiptar në Universitetin e Minesotës, Elton Mykerezi PhD, të cilin e kisha mysafir në shtëpi pak ditë më parë…Ai është vetëm 28 vjeçar, për më shume se 8 vjet nuk ka qënë në Shqipëri, por ka një vision ndryshe për Shqipërinë, që vërtet më ngrohu mendimet, por gjithsesi dëshpërohem kur shoh dhe krahasoj…Jam ai që isha dhe nuk jam ai që kam qënë…Pse kaq dëshpërime të mëdha, për një komb kaq të vogël?…Prisja aq shumë për këtë 95-vjetor…Sidoqoftë këtu festohet Dita shqiptare, njerëzit në Tiranë nuk kuptojnë dot përmasat e kësaj dite…
Në Cikago,Detroid, Boston, Nju Jork, Londër,Romë, e kudo në botë festohet.Në Tiranë kjo festë është e vagët…Pse? Pse?.. Mbase “flas kaluar”, njerëzit tanë në Tiranë akoma luten për ujë dhe drita…Ndërsa politikanët e kollovarët e tyre i bëjnë karshillëk njëri tjetrit me lluks dhe mode europiane…Unë ëndërroj të shoh këtë komb dinjitoz, por ai është i nëpërkëmbur nga “gjinia e vet”. “Fali Zot se nuk dine se c’bëjnë…”- apo –“Ndëshkoi Zot se janë djaj me pushtet dhe para…” Nuk e di…Kadareja thotë dhimbshëm se për shqiptarët dhe Shqipërinë imoraliteti nuk duhet të kthehet në normë dhe se korrupsioni nuk duhet te jetë një fatalitet, por ec e ndryshoje këtë atje në Tiranë…Nëse do tu përmendja shqiptarëve një citat pa autor që thotë: “Mos pyet se çfarë do të bëjë atheu për ty, por shiko se ç’mund të bësh ti për atdheun tënd…” do të më thoshin “Kjo është propogandë komuniste…” por shumë prej tyre do të befasoheshin kur tu bëja të ditur se është thënie inspiruese e presidentit amerikan Kenedi… Mbase kemi nevojë edhe për këto frymëzimë patriotike që thuheshin gati gjysëm shekulli më parë, kur ne ende bënim “orët politike” të komunizmit enverian…
Sot është 28 Nëntor 2007. Mendoj gjenezën time shqiptare dhe marr në telefon ata pak shqiptarë të mirë që kam përreth e kudo në SHBA: Është dita e pavarësisë shqiptare. Gëzuar o miq e bashkëatdhetarë të mirë!
SHEFQET MEKO Mineapolis, 28 Nëntor 2007 |
|
|
|