Home arrow Kulture arrow Cdo gje ne Albdreams arrow Dosier e 2007-es...kliko ketu...
Dosier e 2007-es...kliko ketu...
Homazh për njerëzit e ndarë nga jeta gjatë vitit 2007

Viti 2007 është viti kur u larguan nga jeta figura të spikatura të artit dhe të kulturës shqiptare. Në mënyrë kronologjike jepen më poshtë datat e ndarjes nga jeta të këtyre personaliteteve.


6 Shkurt : I gjithë komuniteti i artistëve shqiptarë, është përkulur me nderim para trupit të pa jetë të Kadri Roshit, kolegut dhe profesorit të tyre, aktorit të madh të skenës dhe kinematografisë shqiptare, gjatë homazheve të zhvilluara në Teatrin Kombëtar në Tiranë.
Aktorë të brezit të Kadri Roshit, si Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Violeta Manushi, Drita Pelingu, Esma Agolli, por edhe të brezit më të ri, si Yllka Mujo, Petrit Malaj, Altin Basha, regjisorë, operatorë, njerëz të njohur të artit dhe të kulturës, njerëz nga i gjithë spektri politik, miq dhe dashamirës, i kanë dhënë lamtumirën e fundit njeriut, i cili u dallua gjatë të gjithë jetës për pasionin, përkushtimin dhe dashurinë për profesionin e tij.
Kanë nderuar kujtimin e tij Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha , Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, personalitete te larta te artit dhe kulturës.

12 shkurt :
Kineasti Gëzim Erebara ndërroi jetë në Tiranë në moshën 78 vjeçare. I njohur në Shqipëri si regjisori i disa filmave artistikë të arrirë, Erebara, në vitin 1967, punoi si bashkëregjisor me Pirro Milkanin në filmin "Ngadhnjim mbi vdekjen", një film që u dënua dhe u ndalua të shfaqej për shkaqe ideologjike gjatë regjimit komunist. Filmografia e Erebarës përfshin "Fushë e blertë, fushë e kuqe" (1984), "Një natë pa dritë" (1981), "Nusja" (1980), "Përtej mureve të gurta" (1979), "Vajzat me kordele të kuqe" (1978), "Pylli i lirisë" (1976), "Në fillim të verës" (1975) dhe "Guximtarët" (1970). Po kështu ai njihet edhe për përkthimin mjeshtëror nga çekishtja të veprës të Jarosllav Hacek "Ushtari i mirë Shvejk".

24 mars :
Ndahet nga jeta Sulejman Pitarka, nje aktor i madh shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit XX-të. Sulejman Pitarka ka luajtur me sukses rreth 50 role në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe 20 të tjerë në kinema. Ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës "Familja e peshkatarit". Disa përvoja skenike, pothuaj rastësore, gjatë shërbimit ushtarak (1945 - '47) e shtynë të interesohej më shumë për teatrin dhe të përfshihej në lëvizjen amatore të Durrësit. Më 1951, u përzgjodh për t'iu bashkangjitur trupës, ende në formim, të Teatrit Popullor (sot Kombëtar) në Tiranë, ku u bë menjëherë margaritari i kurorës. Luajti rreth 50 role, duke shkëlqyer njësoj, si në dramë, ashtu edhe në komedi.

27 qershor:
Gazetari dhe folësi i karrierës në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar, Alfons Gurashi, u nda nga jeta në moshën 65-vjeçare për shkak të një infarkti. Ishte ndër spikerët më të vjetër që këmbënguli të mbeste në tregun e televizioneve, qyshse braktisi strehën e vjetër të TVSH-së. Ai kishte ardhur aty pas përfundimit të studimeve të larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi. Ka qenë ndër spikerët e parë të televizionit privat Top-Channel dhe pas largimit prej andej është marrë me fotografi. Në janar të këtij viti prezantoi ekspozitën "50 foto nga Amerika".

26 Korrik : ndërroi jetë Violeta Manushi 'Artiste e Popullit' . Ajo numëron 100 role në teatër dhe 16 role në kinematografi, ku më i spikaturi është ai i Teto Ollgës, në filmin "Zonja nga qyteti". Për këtë rol që i dha shumë popullaritet, Violeta Manushi u nderua me çmimin e parë si interpretuesja më e mirë në Festivalin e Filmit në vitin 1977. Ajo lindi në qytetin e Korçës në 6 mars të vitit 1926. Për herë të parë debutoi në vitin 1946 dhe që atëherë ka qenë aktive me role që e bëjnë atë të paharruar për artdashësit. Protagoniste e shumë veprave të letërsisë botërore dhe asaj shqiptare, ajo ka interpretuar në pjesët teatrale "Tartufi", "Vajza me flokë të thinjur", "Cuca e Maleve", "Morali i zonjës Dulëka", "Pallati 176" si dhe në filmat "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Rrethimi i fundit", "Mimoza llastica", "Taulanti kërkon një motër" etj. E cilësuar si një nga ikonat e artit skenik shqiptar Violeta Manushi është vlerësuar edhe me titullin 'Qytetare Nderi' e Tiranës

23 gusht: Faruk Begolli,
aktori i madh i Kosovës ndërrroi jetë pas një sëmundje të rendë, në moshën 63 vjeçare. "Ka qenë amaneti i të ndjerit që në varrim të marrin pjesë vetëm rrethi shumë i ngushtë familjar si dhe disa miq e ish kolegë", thuhej në një njoftim nga familja Begolli. Faruk Begolli u lind me 14 shkurt 1944 në Pejë. Faruk Begolli mbaroi Akademinë për Film dhe Teatër në Beograd me 1966. Një kohë ka jetuar dhe punuar në Beograd, kurse disa vjet themeloi dhe udhëhoqi Tetarin Dodona të Prishtinës, ku shquhet veçanërisht me shfaqjen "Jam talent se jo mahi". Begolli luajti edhe në disa filma artistik, si në filmin "Kur pranvera vonohet", "Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna" , "Të ngujuarit", "Era e Lisi", etj. Faruk Begolli ishte edhe pedagog ne Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës.

25 Shtator: At Zef Pllumi
, shkrimtar dhe klerik disident, personalitet i shquar i kulturës shqiptare, ndërroi jetë në Romë (Itali) pas një sëmundjeje të rëndë. Trupi i At Zef Pllumit qëndroi pas ardhjes nga Italian në Kishën e Fretërve Françeskane, ndërkohë që kisha ka qënë e hapur për homazhe për At Zef Pllumin, një pasuri kulturore e njerëzore, që diti t'i rezistojë regjimeve dhe kohrave më të vështira. Këshilli i Ministrave miratoi edhe një vendimi për organizimin e ceremonisë, jo të plotë zyrtare, në nderim të figurës së spikatur të qëndresës antikomuniste,

30 Shtator: Serafin Fanko,
ishte jo vetëm një nga ikonat e teatrit "Migjeni", por edhe një ikonë e artit skenik shqiptar. Ai gjatë jetës së tij spikati në aktrim, regji si dhe në të gjitha komponentët që ndërtojnë një dramë. Serafin Fanko ishte një shkronjës pikant i dramës kombëtare, ndërsa në të gjithë karrierën e tij artistike u dallua për një elegancë dhe fuqi interpretative. Janë të njohur nga të gjithë dramat e vëna në skenë nga ai si regjisor si "Gjaku i Arbërit", "Baca i Gjetajve", "Ç'murrosja", "Quo Vadis", "Këshilli i Ndrikullave", "Rozafa", "Pse", "Çifi i Lumtur" dhe te tjera. Aktor dhe regjisor, skenograf dhe kostumograf, Artisti i Popullit, Serafin Fanko, ishte i integruar prej vitesh në një hapësirë të gjërë mbarëkombëtare me veprën e tij shumëdimensionale. I lindur në Shkodër në vitin 1937, regjisori i mbi 140 veprave, duket se ai nuk e ka patur të lehtë rrugën e karrierës. Fillimet artistike i nisi me mësimet e pianos, më pas ndoqi një kurs pikture, u mor me balet, dhe pastaj me fushen e artit skenik që e bëri të njohur edhe jashtë kufijve.

27 Tetor: Astrit Nuri ,
publicist i njohur, është përcjellë për në banesën e fundit nga kolegë të tij, njerëz të njohur të publicistikës, artit dhe kulturës. Si një nga emrat më të spikatur kryesisht në gazetarinë shqiptare të viteve '70-'90-të, Astrit Nuri në të gjithë veprimtarinë e tij u shqua për korrektësinë dhe profesionalizmin si dhe etikën e tij. Me përkushtimin që e karakterizonte ai themeloi në vitin 1994 gazetën "Antena", një gazetë ku diti të trajtojë jo vetëm tema të mprehta politike, po edhe sociale të një stili analitik dhe filozofik. Para një viti botoi gazetën "Letrat publike", ku trajtoheshin probleme shoqërore , në stilin e letrave dhe të autointervistës , esseve politike. Astrit Nuri ka botuar një seri shkrimesh në shtypin e përditshëm shqiptar. Ai lindi në Berat më 27 janar 1947, ku kreu shkollën e mesme, për të vazhduar më pas studimet për Matematikë në Fakultetin e Shkencave në Tiranë. Astrit Nuri ka punuar per disa vjet reporter ne gazetën "Zëri i Popullit" .

22 Dhjetor: Ka ndërruar jetë në Tiranë, në moshën 79 vjeçare, regjisorja e njohur Xhanfise Keko, e konsideruar si themeluesja dhe mjeshtrja e madhe e filmit shqiptar për fëmijë Keko është edhe e para kineaste femër në Shqipëri, e cila e nisi karrierën si një nga shtatë anëtarët themelues të Kinostudios "Shqipëria eRe", më 1952. Pas një përvoje të gjatë si montazhiere e dokumentariste, filloi karrierën e regjisores, më 1971. Për 13 vjet xhiroi 12 filma, që janë edhe sot mjaft të pëlqyer. Filmografia e saj përfshin "Taulanti kërkon një motër" (1984/edhe skenariste), "Një vonesë e vogël" (1982/edhe skenariste), "Kur xhirohej një film" (1981/edhe skenariste), "Partizani i vogël Velo" (1980), "Pas gjurmëve" (1978/edhe montazhiere), "Tomka dhe shokët e tij" (1977/edhe montazhiere), "Tinguj lufte" (1976), "Beni ecën vetë" (1975/edhe montazhiere), "Qyteti më i ri në botë" (1974/edhe montazhiere), "Mimoza llastica" (1973), "Kryengritje në pallat" (1972), "ABC...ZH" (1971). Përveç çmimeve e titujve të shumtë, ka fituar edhe Kupën e Festivalit për filmin "Beni ecën vetë". Keko është gjithashtu regjisorja e parë shqiptare e vlerësuar me çmime ndërkombëtare. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Xhifoni (Itali), ka fituar medalje për filmat "Beni ecën vetë", "Pas gjurmëve" dhe "Tomka dhe shokët e tij". Është bashkëshortja e kinodokumentaristit të shquar Endri Keko dhe nëna e shkrimtarit Teodor Keko.

10 personalitetet më të shquara që kanë vdekur gjatë vitit 2007

Më poshtë vijojnë 10 figura të shquara nga fusha të ndryshme që kanë vdekur gjatë vitit 2007:

-POLITIKË -
* BORIS JELCIN: Vdiq më 23 prill në moshën 76-vjeçare presidenti i parë i Rusisë post-sovjetike (1991-1999), njeriu që rrëzoi komunistët nga pushteti në gusht 1991 dhe e futi Rusinë në rrugën e reformave, përpara se t'ia linte vendin, për shkak të sëmundjes dhe popullaritetit në rënie, të besuarit të tij Vladimir Putin. Babai i "kapitalizmit të egër" la në Rusi imazhin kontradiktor të luftëtarit që sfidoi puçistët komunistë që nga maja e një tanku dhe atë të një lideri që bënte gafa për shkak të vodkës.

* KURT ËALDHEIM:
Vdiq më 24 qershor në moshën 88 vjeçare, ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së (1972-1981) e më pas president i Austrisë (1986-1992), karriera e këtij biri mësuesish u zbeh nga një polemikë e zjarrtë lidhur me shkuarën e tij të fshehtë në ushtrinë hitleriane. I zgjedhur president, megjithëse u mor vesh përkatësia e tij në forcat naziste SA, ai u bojkotua nga komuniteti ndërkombëtar.

-KULTURË -

* MSTISLAV ROSTROPOVIÇ: Muzikanti rus që vdiq më 27 prill në moshën 80-vjeçare do të mbetet violonçelisti shumë i talentuar, dirigjenti me emër dhe mbrojtësi i lirisë që sfidoi shtypjen sovjetike. I dëbuar nga BRSS-ja në 1974, atij iu hoq shtetësia në 1978, të cilën do të merrte vetëm në 1990. Pamjet e "Slavas" që improvizon një koncert në mes të rrënojave të Murit të Berlinit në nëntor 1989 do të qarkullonin në të gjithë botën.

* LUÇIANO PAVAROTI: Tenori italian, që vdiq më 6 shtator në moshën 71 vjeçare, pushtoi gjatë një karriere të shkëlqyer 40-vjeçare, zemrat e të gjithë publikut, që nga La Scala e Milanos deri në Met-in e Nju Jorkut, që nga Kulla Eifel deri në Sheshin e Kuq të Moskës. Pas debutimit të shkëlqyer në "Bohemën" e Puçinit, i biri i një bukëpjekësi nga Modena do të njihte suksese të njëpasnjëshme me veprat e Donixetit "Vajza e regjimentit", të Belinit "Somnambuli", të Rosinit "Ëilhelm Teli", të Verdit "Rigoleto" por edhe në duetet me Stingun apo Xhejms Braunin.

* INGMAR BERGMAN: Mjeshtri i kinemasë suedeze, që vdiq më 30 korrik në moshën 89-vjeçare, la pas një pasuri të madhe emocionale, ndërsa hodhi në ekran kompleksitetin e raporteve mes burrave dhe grave. Regjisor i më shumë se 40 filmave, ndër të cilët "Cris et chuchotements" (1972), "Skena të jetës bashkëshortore" (1974), "Sonatë vjeshte" (1978) apo më tej veprën e tij testament "Fani dhe Aleksandri" (1982), ky "gjeometër meditues" i shpirtit njerëzor ishte gjithashtu një regjisor i pasionuar i teatrit.

* MIKELANXHGELO ANTONIONI:
Vdiq më 20 korrik në moshën 94-vjeçare, kineasti i pakomunikueshmërisë, i vështirësive të jetesës, i dashurisë së pamundur ishte figurë e kinemasë italiane. Me afro 20 filma, ai provoi famën dhe nderimin ndërkombëtar ndërsa fitoi "Luanin e Artë" në Bienalen e Venecias ("Shkretëtira e Kuqe", 1964), "Palmën e Artë" në Festivalin e Kanës ("Bloë up" në 1967) e më pas Çmimin Special të jurisë së Kanës "Identifikimi i një gruaje", 1982) dhe një Oskar special në 1995.

* RYSZARD KAPUSCINSKI :
Shkrimtar dhe gazetar polak, vdiq më 23 janar në moshën 74 vjeç, ishte një udhëtar i palodhur nëpër botë, i përmendur shpesh për çmimin Nobel. Librat e tij janë përkthyer në 30 gjuhë të botës. Ai u bë i famshëm për reportazhet e tij të para nga Kongo në fund të viteve '50-të. Gjatë qëndrimeve të tij të shumta në Afrikë, ai ka qenë dëshmitar i privilegjuar i disa luftërash civile, revolucionesh dhe përmbysje regjimesh. Ai ka shkruar "Lufta e futbollit", "Negus", "Shahu apo Tepria", "Imperium" apo "Ebene".

* NORMAN MAILER: Vdiq më 10 nëntor në moshën 84-vjeçare. Ai ishte kronikani i ashpër dhe provokues i Amerikës që prej viteve '60-të. Romancier, gazetar apo edhe regjisor, ai fitoi dy herë Çmimin Pulitzer si dhe "National Book Aëard". Poet epik i kundërkulturës amerikane në mes të viteve '50-të, ai ishte një kritik i ashpër i politikës së Xhorxh Bushit. Ai njihet veçanërisht për "Të zhveshurit dhe të vdekurit" , "Ushtritë e natës", "Kënga e xhelatit", "Një ëndërr amerikane" apo "Merilin".

-MODË -

* XHANFRANKO FERRE: Stilisti italian vdiq më 6 qershor në moshën 62-vjeçare, ai kishte ruajtur nga profesioni i tij si arkitekt dashurinë për linjat dhe volumet e ekuilibruara deri në perfeksion, që i gjejmë në koleksionet e tij me një elegancë të rafinuar. Stilisti ishte drejtori artistik i shtëpisë së modës Christian Dior në Paris nga 1989-1997.

-BIZNES -

* STIV FOSET: I konsideruar i zhdukur ndërsa po kryente një fluturim mbi Nevada, miliarderi aventurier ishte një koleksionues i pasionuar i rekordeve, i njohur për fluturimet e tij i vetëm rreth globit me avion ose balonë. Në moshën 63, vjeç, me flokët e thinjur dhe trupmadh, ai kishte thyer mbi 100 rekorde zyrtare në pesë disiplina sportive. Me avion, anije, apo balonë...
 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.