Home arrow Kulture arrow Cdo gje ne Albdreams arrow Druret frutor te Shqiperise...kliko ketu...
Druret frutor te Shqiperise...kliko ketu...
“Thesari” i Fshehur i Arrave te Lugines se Valit ne Tirane
M.Sc. Haki Kola
Dr. Gazmend Zeneli


Lugina e Valit perfaqëson një luginë tipike karstike, ndër të rrallat në Shqipëri për nga përmasat, evolucioni dhe veçoritë morfologjike. Ka dy rrugë për të arritur nga Tirana në Val. Rruga e parë është Tiranë-Dajt-Priskë- Bizë dhe nëpërmjet luginës së Valit të kalohet fshati dhe vizitohet plantacioni natyror i arrave. Kjo është rruga më e shkurtër, por praktikisht e paarritëshme pas nje dimri të gjatë, për faktin se rruga në afërsi të Bizës së Martaneshit në një gjatësi prej 7-8 km është e pakalueshme nga shtresa e trashë e dëborës deri në Maj.
Mundësia e dytë është nëpërmjet rrugës Tiranë-Burrel-Klos, Xibër. Fshati Gur i Bardhë është pika e fundit deri ku arrihet me fuoristradë. Nga Guri i Bardhë pas një rruge 2 orë në këmbë duke kaluar gurrën e Gurit të bardhë e ngjitur në kurrizin rreth 1000 m mbi det, ecja vazhdon në kurrizin e malit duke kaluar nga pylli me ah në pjesën e sipërme në pyjet me dushk në pjesën e poshtme të kurrizit. Pyjet e ahut janë të moshës mbi 200 vjeçare, me lartësi mbi 30 m në terrene mjaft te pjerrëta e të aksidentuara, faktor i vuajtjes dhe shpëtimit të tyre. Me ngjitjen në kurrizin e shpatit, bimësia dominuese është dushk me pjesmarrje të mëllezës, shkozës, panjës, frashërit. Në çdo dru të dushkut dallohet qartë në kurorë vitit i fundit kur është bërë krasitja (rreth 15 vjet më parë). Bimësia barishtore është shumë e pasur, ku dominojnë ngjyra e bardhë dhe e verdhë. Nëse vizitohet në pranverë, mund të dallohen gjurmë të kafshëve të ndryshme të egra, të cilat janë në shtim si rezultat i largimit te staneve dhe lëvizjes së rrallë të banorëve të zonës. Lugina e Gurit të bardhë ndahet nga Lugina e Valit nga një kurriz mali, që të krijon përshtypjen e një shkalle apo muri rreth 300 m të lartë nga shtrati i lumit Mat deri në lartësitë 1550 m përrreth fushës së Bizës. I gjithë kurrizi dhe shpatet mbizotërohen nga shkëmbi amnor gëlqeror, çka i jep relievit një pamje shumë të ngjashme me Malin me Gropa ku herë pas here takohen gropa shumë interesante në formë cirqesh. Duke u shmagur në të djathte të kurrizit, nga një ballkon në pjesën fundore, duket pjesa e poshtme e luginës. Lugina është mbi 300 m e thellë me një gjeresi qe nuk i kalon të 30 metrat, çka i jep nje pamje të veçante të gjelbres së fundit të saj.
Gjatë gjithë shtrirjes së saj ne rreth 16 km gjatësi, lugina ka pothuajse të njëjtën pamje dhe kompozim: shpate vertikale dhe fund të ngushtë, të sheshtë e të thatë. Thellësia e prerjes në sektorë të veçantë shkon deri në 250-300 m, pra thellësi 4 deri në 10 herë me e madhe nga baza e fundit te lugines e quajtur ndryshe gjerësia e fundit të lugines që është përgjithësisht e ngushtë. Është një luginë qorre, e thatë në formë kanioni ku dukuritë karstike kanë zhvillim shumë të madh. Ngritja e territorit është shoqëruar me uljen graduale të horizontit të ujërave nëntokësore, si dhe me zgjerimin dhe thellimin e rrugeve nëntokësore të qarkullimit. Shumë interesante është edhe historia e ujërave nëntokësore. Më të vjetrit tregojnë për tentativat e tyre per te gjetur ujë, si edhe për tekat e ujit, që në disa vende i dëgjohet zhurma duke levizur nën tokë por që është praktikisht i pakapshëm.
Plantacioni natyror me mbi 12,000 rrënjë arra (Juglans regia L.) ndjehet si ne shtepi te tij ne fund te luginës i përzier natyrshëm me bungën, qarrin, shparthin, panjën, mëllezën, shkozën dhe frashërin, duke konkuruar me rrënjë e me kurorë, e cila duket me formë si të çuditshme pas krasitjes periodike deri rreth viteve ‘90. Drurët janë të shpërndarë në të dy shpatet gurishtore tepër të pjerrët e të thatë. Ndonëse drurët janë në gjendje të mirë, rritja e tyre eshte shumë e vogël në shumicën e zonave. Përjashtim bëjne vetëm drurët ne fundin e lugines; ato dallohen për rritje të mirë, me frut të vogël, por të mbushur. Drurët janë krejtësisht të pambrojtur nga kullotja e kafshëve. Lartësia e tyre shkon nga 4.5 deri në 12 m, ndësa diametri i tyre varion nga 6 –16 cm në lartësinë e gjoksit të njeriut. Shumica e drurëve jane me origjinë cungishte dhe kurora e tyre është prerë duke krijuar gungën tipike në lartesinë 3-4 m nga toka. Gjurmet e gungës duken në mbyllje si rezultat i mos krastijes në 15 vjetët e fundit.

Kullotja ka dëmtuar rëndë edhe filizërinë dhe është e vështirë të gjenden filiza të sapo mbira. Vetëm të fshehur mes shkembinjve mund të gjenden fare pak filiza te vegjël tepër të dobet e delikatë. Kjo ka edhe shkaktuar edhe heqjen e mbulesës së dheut në shpate të pjerrta, duke e lënë tokën poshtë drurëve të çveshur dhe të shkelur nga kafshët. Nëse diskutohet me banorët për historinë e këtij masivi natyror arre të fshehur, ndoshta i vetmi i përdorur për vite me rradhë si burim për bazën ushqimore, më të vjetrit tregojnë që përpara viteve 1960 aty ka ekzistuar një masiv me drurë të mëdhenj arre qe ishin prerë totalisht dhe transportuar me rrëshqitje duke i hedhur në lumin e Matit. Dhe kjo mund të vërtetohet lehtë nga filizat e dala mbi pyllin e shfrytëzuar përpara rreth gjysëm shekulli. Arrat janë njohur prej kohësh si një nga drurët frutorë më të vjetër të njohur nga njeriu, e vlerësuar si e tillë që nga vitet 7000 p.e.s. E konsideruar ushqim për Zotat në kohët e hershme të Romës, arra u quajt "Juglans regia" për nder të Jupiterit. Tani ato zakonisht thirren me emrin “Arra angleze”, duke iu referuar marinës tregtare angleze e cila një herë e një kohë transportonte produktet për tregti nëpër portet e gjithë botës. Druri i arrës është me i çmuari, dhe ka qene gjithmonë i kerkuar për cilësite e tij. Druri ështe gjysëm i fortë, me dizenjo shumë të bukur homogjene me pak nervatura, i lehtë për tu punuar në të gjithe aspektet, mjaft i pëlqyeshem nga pikëpamja estetike. Druri i arrës ështe më i shtrenjti dhe çmimi për të ka qenë gjithmonë në nivel më të larte nga llojet e tjera pyjore pothuajse në tërë Europën. Në Francë psh çmimi mesatar i drurit të arrës së zakonshme, në vartësi nga kualiteti dhe dimensionet është nga 2 deri 4 herë më i lartë sesa i dushkut.

Dhe ndësa lexon historinë e mbërritjes së arrës në Europë dhe kujdesin që tregohet për të, ajo që mundon çdonjërin që e shikon këte mrekulli natyrore te katandisur ne këtë mënyrë është pyetja nëse mund të gjendej një vend tjetër në botën tonë të vogël që mund ti caktonte një druri të tillë të famshëm rolin e prodhimit të bazës ushqimore per blegtorinë?

Ndryshimet mjedisore dhe ndikimet e faktorit human rrezikojnë që të alterojnë variabilitetin gjenetik në një mase të tillë që potenciali adaptiv i arrës apo ekosistemit rrethues mund të dëmtohet seriozisht. Për shkak të proçeseve të seleksionimit dhe zvogëlimit të madhësisë së popullatës, alelet e rralla apo me frekuencë të vogël mund te humbasin duke shkaktuar nje varfërim ne tërësinë gjenetike. Mirëmbajtja e një variabiliteti të gjerë gjenetik, karakteristike kjo e popullatave te arrës apo drurëve pyjore është esenciale për ruajtjen e adaptueshmërisë së ekosistemeve pyjore ndaj mjedisit të tyre kompleks. Parë në ketë aspekt, ruajtja e variabilitetit gjenetik është vendimtare për adaptimin dhe mbijetesën e arrës në këtë ekosistem pyjor. Për të siguruar një brezni të re të shëndetshme si dhe për të mundësuar ruajtjen e këtij genotipi të rritur ne kushte shumë të veçanta ekologjike është e nevojshme të merren masa të menjëhershme, fillimisht që të dy anët e shpatit të rrethohen dhe të vihen në mbrojtje për një periudhë 5 vjeçare në një sipërfaqe prej 2 hektar në të dy anët. Kjo do të mundësonte ndalimin e degradimit te mëtejshëm.

Në vijim të këtyre masave, do të ndihmonte më tej edhe rregullimi i problemit te pronësisë. Pronësia e parregullt private mbi plantacion mund të çojë në perkeqëzim të gjendjes, shkatërrimin e drurëve nga kullotja, kthimi në tokë kullotjeje, vjelje të parakohshme si dhe mungesë njohurish përsa i përket përfitimit të të ardhurave të mundëshme nga vjelja e fruteve dhe materialit drusor. Pronësia private do të çonte në rritjen e interesit dhe kujdesit për drurin e arrës nëse pronarëve të rinj do t’u shpjegohet se druri i arrës jep shumë më tepër të ardhura se çdo lloj aktiviteti tjetër mbi tokën. Kjo krijon për specialistët e pyjeve, mundësinë për të ndihmuar pronarët e rinj duke u mësuar atyre sesi të mbarështrojnë drurët e arrave në mënyrë që të marrin sa më shumë të ardhura nga arrat dhe materiali drusor i tyre.

Vetëm në këtë mënyrë nëpërmjet bashkërendimit të masave mbrojtëse dhe një përdorimi më të kujdeshem do të perfitohej shumë nga ky “thesar” i fshehur.
 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.